
Kurti bën homazhe në Abri të Epërme dhe Milloshevë
Në ditën kur besimtarët myslimanë po festojnë Festën e Fitër Bajramit, Kryeministri, Albin Kurti, bëri homazhe në Abri të Epërme të Drenicës dhe në Milloshevë të Kastriotit, duke vendosur lule të freskëta pranë varreve të martirëve të luftës së fundit.
Fillimisht, në Abri të Epërme të Drenicës, Kryeministri Kurti, bashkë me deputetë dhe aktivistë nga Qendra jonë në Drenas, bëri homazhe te varret e tetë martirëve të lagjes Muliqi, në 26-vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme.
Më pas, i shoqëruar nga deputetë dhe aktivistë të Qendrës sonë në Kastriot, Kryeministri vazhdoi në Milloshevë, ku bëri homazhe te Lapidari i katër anëtarëve të familjes Morina, të vrarë po ashtu 26 vjet më parë nga forcat serbe.
Kryeministri, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për sakrificat e të rënëve dhe vlerësoi lart kontributin e tyre për lirinë e vendit. Kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë i gjallë në historinë e Kosovës, tha ai.