Kurti: Ballkani gëzon shkallë të lartë të paqes, por kjo ndryshon nëse Rusia triumfon në Ukrainë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rajoni i Ballkanit gëzon shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por se sipas tij, kjo mund të ndryshojë nëse Rusia triumfon në Ukrainë dhe inkurajon zgjerimin serb.
Kurti tha se është e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, siç është shprehur ai, derisa ajo mbrohet nga agresioni rus, transmeton Klankosova.tv.
Në një intervistë me Associated Press, Kurti u shpreh se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë dhe se jo vetëm Kosova, por sipas tij, edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, nuk ka arritur të bëj përparim, veçanërisht që nga sulmi në Banjskë, në shtator të 2023-tës.
“Këto 25 vjet të këtij shekulli, ky ka qenë një çerekshekull me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha Kurti.