Kurti: Ata që janë pasuruar në dëm të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në Konferencën Rajonale “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”, i organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në Kosovë.
Në fjalën e tij në kuadër të ngjarjes, kryeministri Kurti tha fillimisht se minimi i demokracisë e i të drejtave dhe lirive të njeriut që vjen si pasojë e korrupsionit, ndikon edhe në rritje të përgjithshme ekonomike e të përparimit të shoqërisë, ndërsa jo shumë kohë më parë, konkretisht në vitet 2018-2019, Kosova është paraqitur në dokumentet politike të ekspertëve të Bashkimit Evropian si shtet i kapur. “Korrupsioni në Kosovë ishte i strukturuar, duke filluar nga nivelet më të larta dhe përfshinte një gamë të gjerë agjencish shtetërore. Lidhjet horizontale ndërmjet disa degëve të shtetit dhe qeverisë, që përfshinin edhe aktorë ekonomikë nga sektori privat, po e shpërbënin shtetin si arbitër të pavarur të konflikteve shoqërore. Struktura administrative hierarkike ishin të kontrolluara politikisht dhe ishin llogaridhënëse ndaj linjës vertikale të pushtetit e jo ndaj qytetarëve, të cilëve institucionet publike duhet që t’i shërbejnë,” tha kryeministri.
Më tej, ai tha se këto tashmë i kemi ndalur dhe nuk do të kthehen më, gjersa pas vetëm një viti qeverisjeje të suksesshme, u patëm ngritur për 20 numra në Indeksin e perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe jemi renditur të parët në rajon për sundim të ligjit sipas World Justice Project.
“Duke u përqendruar te fuqizimi i shtetit e jo i grupeve të interesit apo strukturave paralele dhe te pasurimi i qytetarit e jo i politikanëve dhe i familjeve të tyre, ne kemi arritur të konfimojmë besimin qytetar të evidentuar edhe në Pulsin Publik të UNDP-së të korrikut të vitit 2024 ku më shumë së 50% e qytetarëve tregojnë që i besojnë qeverisë së tyre dhe liderëve të shtetit”, shtoi kryeministri.
Kryeministri Kurti theksoi se sot korrupsioni nuk listohet më si një ndër problemet më të mëdha të shtetit siç ishte gjatë kohës së qeverive paraprake.
Tha se ata që janë pasuruar në dëm të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila do të hyjë në fuqi së shpejti si mekanizëm i fuqishëm i shoqërisë sonë demokratike për t’ia kthyer pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët e që nuk iu përket atyre, por qytetarëve të vendit tonë.