Kurti: Ali Ajeti gjithë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës
Në përvjetorin e 35-të të rënies së dëshmorit të kombit Ali Ajeti, shumë qytetarë, bashkëveprimtarë, familjarë e përfaqësues institucionesh, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore që u organizua nën përkujdesjen e kryeministrit, Albin Kurti. Në fjalën e tij, vetë Kurti tha se Ali Ajeti ishte i përkushtuar për Kosovën me gjithë qenien e tij, e tërë jetën ia kushtoi lirisë së Kosovës.
Kurti tha se për lirinë e Kosovës, populli ka nisur të paguajë shumë herët, para se të niste lufta çlirimtare. Sipas tij, rezistenca dhe beteja për lirinë janë vite dhe dekada më të hershme se lufta 1998-1999.
“Vërtetë lufta në Kosovë shpërtheu në fillim të vitit 1998 dhe përfundoi në mes të vitit 1999 me epilog çlirimin e Kosovës, por preludi i kësaj lufte shtrihet pas në kohë të paktën një dekadë mbrapa në vitin 1989. Ky është një vit kur u bënë ndryshime të mëdha në ish Jugosllavi ku ne ishim të shtypur pas të cilave fati politik i asaj Federate kur shqiptarët ishin të përfshirë pa u përfillur vullneti i tyre politik mori kahe të pakthyeshme. Ishte ky vit kur Jugosllavi apërfundimisht u bë Jugosllavi e Millosheviçit”, shpjegon Kurti.
Më 18 mars 1989 Serbia, siç tha kryeministri, i miratoi disa ndryshime kushtetuese me të cilat i dha vetes arbitrarisht kompetenca shtesë mbi Kosovën, kurse pas pesë ditësh regjimi terrorist i Serbisë ia suprimoi autonominë Kosovës.
“Katër ditë më pas disa djem nga treva e Llapit kryen një aksion të armatosur duke e vrarë një polic e duke e plagosur një tjetër. Ata i takonin një grupi që njihej si Çeta e Llapit, e i cili drejtohej ushtarakisht nga Ali Ajeti kurse politikisht nga Sabri Kiqmari”, ka thënë Kurti.
Mes dhjetëra organizatash ilegale të formuara dhe të shpërbëra në Llap që në vitet e 50, Çeta e Llapit, sipas Kurtit, ishte organizata e parë në Kosovë që kishte karakter ushtarak.
“Çeta e Llapit ishte trashëgimtare e një grupi edhe më të hershëm i quajtur grupi ilegal i Llapit i formuar me 10 korrik të vitit 1981 në Podujevë nga Ali Ajeti, Abdi Gjata dhe Hamit Hamiti”, tha kryeministri Kurti, i cili foli për periudhën e hershme të Ali Ajetit kur ai ishte në burg.
Ali Ajeti pas gjashtë muajsh në hetuesi, më 18 qershor 1984, u dënua me pesë vjet burgim. Në po të njëjtin proces gjyqësor politik me Aliun, siç tha Kurti, ishin dënuar edhe Bajram Ajeti, Sherif Konjufca, Avdi Gjata, Ismet Begolli, Musa Jupolli, Sabri R. Hamiti, Mustafë Xhemajli, Bajrush Behrami, Kadri Llugalliu dhe Shaban Mulolli, tha ai.
Në nderim të figurës së heroit Ajeti, i cili ra heroikisht në luftë ballë për ballë me forcat serbe, u shfaq dokumentari i përgatitur nga RTK-ja, ku dëshmitarët e ilegales nëpërmjet historive rrëfyen përpjekjet për lirinë kolektive.
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gëevalla tha se nëpërmjet dokumentarit do të përkujtohen breza të tërë që kanë vepruar deri në çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
“Edhe ne si RTK kemi kontribuar që dëshmorët të kthehen në dëshmi. E kaluara nuk është vetëm histori, e kaluara është themel për të kuptuar kush jemi dhe ku duam të shkojmë. E ku duam të shkojmë është padyshim amaneti i heroit Ali Ajeti”, tha Gërvalla.
Isë Ajeti, në emër të familjes së heroit Ali Ajeti, falënderoi të gjithë ata që dhanë kontribut në realizimin e dokumentarit dhe shënimit të kësaj dite, kushtuar jetës dhe veprës së heroit Ali Ajeti, në veçanti shokët dhe shoqet e idealit të heroit, të cilët rrëfyen përjetimet e asaj kohe, Radio Televizionin e Kosovës dhe Zyrën e Kryeministrit, për promovimin e këtij dokumentari, i cili do të mbetet në arkivat e historisë së Kosovës.