Ku shkuan milionat e ndara për investime kapitale?
Nga 820 milionë eurot e ndara për projekte kapitale në Kosovë, në vitin 2023, u shpenzuan 560 milionë, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Pjesa më e madhe e tyre u ekzekutua në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Kjo, sipas Muratit, ndodhi për shkak të hezitimit të kompanive punëkryese për t’u angazhuar në fillim të vitit, kur çmimet e lëndës së parë dhe të materialeve ndërtimore ishin më të shtrenjta.
Projektet në të cilat u investua, përfshinë: rrugë lokale, kanalizime, kanale të ujitjes, çerdhe, objekte spitalore, digjitalizim të sistemit të arsimit e të tjera.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, në një konferencë për media më 28 dhjetor, Murati nuk specifikoi se në cilat komuna është investuar, e as sa.
Sipas Informatorit për qytetarë për Buxhetin 2023, të publikuar nga Ministria e Financave, shuma e mjeteve për projekte kapitale për nivelin qendror ishte 604 milionë euro, ndërsa për nivelin lokal 216 milionë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, thotë se projektet është dashur të përfundojnë në fund të vitit dhe jo të fillojnë.
Instituti për Studime të Avancuara, GAP, gjeti se miliona euro shkuan për projekte të vjetra. Ndërsa, sipas disa përfaqësuesve të opozitës, shuma të mëdha parash, të destinuara për investime kapitale, u ndanë si “lëmoshë”.
GAP-i, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, publikoi këtë muaj një raport, ku tha se me buxhetin e vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte kapitale, të cilat kishin filluar disa vite më parë.
Për shembull, mbi 22 milionë euro u ndanë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, që nisi në mars të vitit 2010, ndërsa 20 milionë u ndanë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Han i Elezit – projekt ky i nisur qysh në vitin 2016.
GAP-i analizoi nëntë muajt e parë të vitit, përkatësisht deri në shtator, dhe tha se për projekte kapitale u shpenzuan vetëm 263.7 milionë euro, si nga niveli qendror, ashtu edhe ai lokal.
Rrona Zhuri, hulumtuese në këtë institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga kjo shumë, 163.5 milionë euro u shpenzuan nga ministritë dhe institucionet tjera shtetërore, ndërsa 100.2 milionë nga komunat.
Në të dyja nivelet, mbi 1.700 projekte të parapara kapitale, as që nisën, sipas GAP-it.
Në nivelin qendror prin Ministria e Infrastrukturës me 167 projekte të pafilluara, pasuar nga Ministria e Kulturës me 165 të tilla.
Në nivelin lokal, ndërkaq, prin Komuna e Vushtrrisë me 138 projekte të pafilluara kapitale, pasuar nga Istogu me 92 dhe Mitrovica e Jugut me 41, gjithnjë sipas GAP-it.
Murati, i cili udhëheq Ministrinë e Financave – përgjegjëse për mjetet që ndahen – nuk iu përgjigj REL-it.
Ngjashëm nuk u përgjigjën as tri komunat me më së shumti projekte të pafilluara.
Por, sipas Sazan Ibrahimit, udhëheqës i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ato e kanë shpenzuar rreth 70 për qind të buxhetit të paraparë për projekte kapitale.
Ai thotë se projektet e komunave kanë vlera të vogla financiare, krahasuar me ato të nivelit qendror.
Duke mos specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë dhe për cilat komuna, Ibrahimi shton se ato, sivjet, kanë pasur vetëm 23 për qind të fondeve të parapara për projekte kapitale.
“Sa i përket planifikimit dhe shpenzimit këtë vit, sikurse vitin e kaluar, niveli qendror ka çaluar, sepse nuk ka mundur t’i shpenzojë mjetet. Mendoj se niveli qendror ka kapacitete jo të mjaftueshme sa u përket shpenzimeve për investime kapitale”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.
Si arsye të mosrealizimit të shumë projekteve kapitale deri në muajin shtator, Zhuri, nga Instituti GAP, numëron disa: planifikimin e dobët, mungesën e kapaciteteve zbatuese, vonesat në procedurat e prokurimit dhe problemet në shpronësim.
Probleme gati të ngjashme, ndër vite, evidentoi edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.
Zhuri thotë se me investime kapitale do të mund të nxitej zhvillim më i madh ekonomik e, rrjedhimisht, mundësi të reja punësimi. Por, viteve të fundit, thotë ajo, fokusi i Qeverisë së Kosovës ka qenë më i theksuar te subvencionet dhe transferet, të cilat, siç shprehet, kanë ndikim afatshkurtër në ekonomi.
Qeveria e Kosovës, së voni, mori vendim që të ndajë nga 100 euro për pensionistët dhe fëmijët nën 16 vjeç, për muajin dhjetor.
Vendimi i saj nxiti kritikat e disave që thanë se mjetet e destinuara për projekte kapitale, u ndanë si “lëmoshë”.
“S’ka çerdhe të reja, s’ka rritje të pagave në arsim, s’ka asnjë reformë që tre vjet, s’ka sigurime shëndetësore, s’ka asnjë ndryshim të politikave fiskale… Derisa në kurriz të rritjes së çmimeve qytetarët paguajnë dyfish më shumë tatime, çohen e ndajnë lëmoshë nga 100 euro, sepse kjo është puna më e lehtë, sepse kjo është gjëja e vetme që dinë të bëjnë”, shkroi në Facebook ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një postim në platformën X, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, nga Partia Demokratike e Kosovës, shkroi:
“Suficiti i tmerrshëm i mbetur nga mosshpenzimi në investime kapitale (shkolla, çerdhe, ujësjellës, rrugë) – të obliguara me Ligjin për Buxhet 2023 – tash çkepet për lëmoshë. Rriti investimet! Pastaj, rriti pensionet! Ndali këto veprime populiste buxhetore”.
Ministri i Financave, Murati, njoftoi këtë javë se shtesat e njëhershme për fëmijë dhe pensionistë tashmë janë ndarë.
Gjatë këtij viti, Qeveria ndau subvencione edhe për qëllime të tjera, si për gratë e punësuara për herë të parë në sektorin privat, për energji elektrike, për pajisje efiçiente të ngrohjes, për platformën e punësimit “Superpuna” e të tjera.