Ku po qëndron trupi i Faton Hajrizit?

Ku po qëndron trupi i Faton Hajrizit?

Pesë ditë kanë kaluar kur në Lloznicë të Serbisë është vrarë një qytetar i Kosovës që po raportohet të jetë Faton Hajrizi.

Pavarësisht kësaj kohe, familja e tij nga Skenderaj ende nuk kanë asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Kosovës apo Serbisë për verifikimin e trupit të tij. Nga sot, ata kanë autorizuar Arianit Kocin si avokat për këtë çështje dhe i njëjti pritet të udhëtoj drejt Serbisë në dy ditët e ardhshme.

Kanë kaluar pesë ditë prej kur një qytetar i Kosovës është vrarë në Serbi.

E trupi i pajetë i këtij personi ende nuk është identifikuar zyrtarisht në mes autoriteteve serbe dhe kosovare.

Ai pretendohet të jetë Faton Hajrizi, i arratisuri nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik të këtij viti.

Familjarët e tij ende nuk kanë asnjë informatë se ku qëndron trupi i tij dhe kur do të sillet në Kosovë.

Për të marrë më shumë detaje, ata e kanë autorizuar avokatin kosovar Arianit Koci.

Ky i fundit tha se së shpejti do të shkoj në Serbi për procedurat e tjera.

“Unë sot jam takuar më nënën e Fatonit të ndjerë, ma ka dhënë autorizimin, ishte së bashku me vëllain e vogël në zyre tek unë. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd, të njëjtën kohë jam në koordinim edhe me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Jetish Jashari. Deri tash disa punë i kemi kryer, sot kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beograd, Shid ose Novi Sad, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura. Të gjitha dokumentet e nevojshme i kam dhe vazhdoj tutje. Zyra ndërlidhëse ka filluar me komunikim me ta, deri tash nuk kemi pasur problem në komunikim nuk e di çka do të ndodhë nesër në territorin e Serbisë, deri tash nuk ka pasur asnjë problem çdo gjë po shkon mirë, kam marrë një punë serioze një mision serioz dhe do ta kryej ashtu siç i kryej të gjitha punët. Nuk po du me ba të madhe por sigurisht se do të kthehem bashkë me trupin e të ndjerit”, ka thënë Koci.

Nga ana tjetër, Faton Hajrizin për sjellje të mira e mbanë mend ish drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj.

Por ai thotë se ekspertët që kanë vendosur Hajrizin nga Dubrava në një burg të hapur si Smrekonica, kanë gabuar.

“Grupi i ekspertëve që e kanë përcaktu që ky me shku në Smrekonicë ndoshta ka qenë herët, u dashtë edhe pak të trajnohet, të punohet më të, t’i ndihmojnë atij se atij iu ka ngulitë në kokë se vetëm ikja është zgjidhje edhe për hesapin tem ka gabu dhe shiko si përfundoj..”, ka thënë ai.

Televizioni të martën ka kërkuar të dhëna shtesë edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.

Pa detaje ka qenë edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë në pyetjet e televizionit se ku gjendet dhe kur pritet të kthehet në Kosovë, trupi i kosovarit të vrarë në Lloznicë.

Faton Hajrizi është burgosur kur ka qenë 15-vjeçar për vrasjen e një ushtari rus. Nga viti 2000, kur ishte duke e vuajtur dënimin, Hajrizi ishte arratisur nëntë herë nga burgjet e Kosovës.

Arratisjen e fundit e pati më 6 korrik të këtij viti, ku dyshohet se me dokumente të vëllait e kaloi kufirin nga Kosova për në Serbi.