Kryetari Latifi përkujton dëshmorët Dalip Behra dhe Bekim Gashi nga Krusha e Madhe

Kryetari Latifi përkujton dëshmorët Dalip Behra dhe Bekim Gashi nga Krusha e Madhe

26 vjet më parë, në një betejë të përgjakshme me armikun, ranë në logun e nderit, dëshmorët e kombit, Dalip Behra dhe Bekim Gashi nga Krusha e Madhe.

Sot, me bashkëpunëtorë, bashkëluftëtarë e familjarë, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka nderuar kujtimin e emrit dhe veprën e tyre madhështore, e cila kulmoi më 13 prill 1999, te vendi i rënies, i njohur si Rrezet e Krushës.

“Dalip Behra e Bekim Gashi nuk qenë rastësisht aty ku e kërkonte nderi e detyra. Ndjenjën atdhetare e kishin të trashëguar nga të parët. Ata, sot, dukeshin më të gjallë se kurrë, në fjalët tona, në kujtimet tona, në rrugën që ecnim drejt vendit ku ata mbrojtën me jetë idealin e lirisë”, ka theksuar Latifi.

Ai ka thënë se pesha e gjakut të tyre na obligon të jemi përherë në nivel të lartë të përgjegjësive tona shoqërore e institucionale. “Këto jetë njerëzish të këputura në lulen e rinisë na bëjnë ta duam këtë vend më shumë dhe ta çmojmë lirinë që e gëzojmë”.

“Lavdi dëshmorëve të kombit, Dalip Behra dhe Bekim Gashi!”, ka deklaruar kryetari Latifi.