Kryetari i Rahovecit kujton në 26-vjetorin e rënies Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin
“Në 26-vjetorin e rënies së tyre, janë të ngulitura thellë në vetëdijen tonë dhe te të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, betejat dhe rrugëtimi luftarak si dhe sakrifica e Heroit dhe Heroinës së Kombit, Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci”, kështu ka shkruar në Facebook kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ai ka thënë se ata ishin shembull unik i bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të hershëm, bashkë e të pandashëm, që nuk kursyen asgjë, por ecën krenar e pa u ndalur, çanë e përshkuan shtigje të vështira të luftës për liri, vazhduan edhe më fuqishëm nën flamurin e UÇK-së, janë çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, të cilët së bashku me luftëtaren Fatime Hetemi e luftëtarin Shefqet Zeka, ranë në një ditë e në të njëjtën betejë, për të njëjtin qëllim e për të lartin ideal, për çlirimin e truallit tonë nga zgjedha e rëndë e robërisë sllave.
“Atdhedashuria, lufta e paepur si dhe akti i rënies trimërore të tyre në logun e nderit, më 22 shtator 1998, janë porosi e madhe për të gjallët, sot e përjetë, se për atdheun dhe për lirinë tonë, u derdh gjaku i kuq i heronjve dhe heroinave të këtij populli”, ka shkuar Latifi.