Kryetari i Rahovecit: Furnizimi me ujë të pijshëm, investim jetik

Kryetari i Rahovecit: Furnizimi me ujë të pijshëm, investim jetik

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të punimeve të projektit për furnizimin me ujë të pijshëm për fshatrat: Hoçë e Madhe, Zaqishtë, Opterushë dhe në Zonën Ekonomike – Parku Industrial në Opterushë.

Ai ka theksuar se ky projekt i rëndësishëm erdhi si rezultat i një angazhimi të madh dhe këmbëngulës të komunës, K.R.U. “Gjakova” dhe komunitetit të kësaj zone e që është bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Rahovecit, Ministrisë së Ekonomisë dhe K.R.U. “Gjakova”, i cili kap vlerën rreth 1 milion € e që synon furnizimin me ujë të pijshëm të mijëra qytetarëve të kësaj zone dhe mundëson përmirësim të madh të furnizimit me ujë të qytetit të Rahovecit (Zona e III-të), përkatësisht të pjesëve të epërme të qytetit.

Ai ka theksuar a rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përkrahjen e vazhdueshme të komunës për investime, që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.

“Ky projekt është një tjetër hap drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe të ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët e kësaj zone. Urime për një fillim të mbarë të realizimit të këtij projekti jetik për qytetarët e Rahovecit, të Hoçës së Madhe, të Zaqishtit, të Opterushës dhe për bizneset që pritet të operojnë në zonën ekonomike – parkun industrial në Opterushë”, deklaruar Latifi.