
Kryetari i PDK-së, Krasniqi: Çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht në Hagë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës së bashku me bashkëpartiakë ka vizituar të enjten Prekazin.
“Edhe sot, më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ne rikthehemi në Prekaz, sepse këtu, para së gjithash, i ka rrënjët liria. Nga këtu nisi zjarri i shpresës që ndriçoi rrugën tonë drejt çlirimit dhe pavarësisë. Në këtë datë të shenjtë të historisë sonë, kujtojmë me nderim të thellë sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të çdo dëshmori që dha jetën për lirinë e këtij vendi. UÇK-ja, më shumë sesa një ushtri, ishte mishërimi i aspiratës shekullore të popullit tonë për liri dhe dinjitet. Sot dhe asnjëherë tjetër, ne nuk harrojmë as miqtë tanë ndërkombëtarë – në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, të cilët qëndruan përkrah nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë. Përjetësisht mirënjohës për mbështetjen!”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se mbesin me shpresën e thellë se do të jetë i fundit ky përvjetor që e shënojnë pa ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tjerë.
Ai ka theksuar se çlirimtarët tanë po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Krasniqi ka thënë se lufta e tyre ishte e drejtë dhe e pastër, sepse ishte lufta dhe përpjekja e një populli të tërë, që për shumë breza sakrifikoi për liri.
“Gëzuar 12 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Kosovës! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Nderim çlirimtarëve!”, ka pohuar Krasniqi.