Kryesuesi i KQZ-së dhe ambasadori britanik flasin për procesin zgjedhor

Kryesuesi i KQZ-së dhe ambasadori britanik flasin për procesin zgjedhor

Sot, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves.

Në këtë takim, kryesuesi Radoniqi e informoi ambasadorin, Hargreaves lidhur me aktivitetet që aktualisht është duke i zhvilluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Radoniqi njoftoi ambasadorin britanik se KQZ në Qendrat Komunale të Numërimit është duke bërë numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe se në pjesën më të madhe të komunave ky proces ka përfunduar.

Gjithashtu, Radoniqi e informoi ambasadorin britanik edhe për proceset tjera që po kryhen nga KQZ siç është vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht votimi përmes postës.

Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves përgëzoi KQZ-në për procesin e suksesshëm dhe të qetë të 9 shkurtit si dhe vlerësoi përpjekjet e KQZ-së që procesi në vazhdim të realizohet sa më shpejt dhe me transparencë.