Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale kërkon nga Qeveria ta respektojë sundimin e ligjit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që “synon ta politizojë” drejtësinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me këmbëngulësinë e kryeministrit Albin Kurti për të mos iu përgjigjur thirrjes së prokurorëve për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, Isufaj tha se “ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë për zyrtarët e lartë shtetërorë”.
“Ftesa për dhënien e dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë Qeverisë së Kosovës që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, tha Isufaj.
Kurti nuk iu përgjigj më 16 dhjetor ftesës së Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur në zyrat e saj për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e përfshirë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari.
Ai madje i ka ftuar prokurorët të shkojnë në zyrën e tij në Kryeministri për ta marrë në pyetje si dëshmitar.
Isufaj tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të intervistohet në zyrën e tij, të paktën jo gjatë mandatit të tij.
“Unë nuk kam informata që dikush është intervistuar në zyrën e kryeministrit. Derisa po bëhen pesë vjet që jam kryeprokuror i kësaj Prokuroria, raste të tilla nuk ka pasur”, tha ai.
Në gusht të vitit 2023 u arrestuan disa persona nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari kishte thënë në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.
Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.