Kryeministri malazez: Qëndrimin zyrtar të Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE do ta shihni në Këshillin e Ministrave
“Votimi i vërtetë do të jetë në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të mund të shihni qëndrimin zyrtar të Malit të Zi”, ka thënë Milojko Spajiç.
Këto komente, Kryeministri i Malit të Zi i ka bërë pasi që është pyetur në lidhje me votën kundër të deputetes malazeze, Maja Vukiçeviç, nga radhët e partisë së Milan Knezheviç-it – i njohur për orientimin e tij pro ruso-serb – për raportin e raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ndryshe nga politika zytare malazeze.
Të mërkurën është miratuar raporti i raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Për miratimit të raportit votuan 31 pjesëmarrës, 4 ishin kundër – ndër të cilët edhe Vukiçeviç – dhe një abstenim.
Ndërsa, qëndrimi i Vukiçeviç-it është në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit të Malit të Zi, i cili mbështet anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si dhe me marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit për formimin e qeverisë së re që drejtohet nga Spajiç, e cila parasheh respektimin e plotë të politikave të partnerëve perëndimorë.
Se shteti malazez nuk ka asnjë dyshim për ta mbështetur Kosovën për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, e bëri të qartë të premten nga Prishtina edhe Ministrja për Çështja Evropiane e Malit të Zi, Majda Gorçeviç.
Në një konferncë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, Gorçeviç theksoi se shteti që ajo përfaqëson do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Votimi i disa deputetëve nuk do të thotë domosdoshmërisë qëndrimin e qeverisë. Mali i Zi në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, deklaroi Gorçeviç.
Cilat janë procedurat e mëtejme?
Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.
Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.
Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.
Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.
Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim
Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për)./Albanian Post/