Kryeministri Kurti e uron Trumpin

Kryeministri Kurti e uron Trumpin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar republikanin Donald Trump, pasi fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA u konfirmua.

“SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere kyç për Kosovën dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkroi Kurti në X.

Përderisa liderët e tjerë politikë të Kosovës e kishin uruar Trumpin më herët gjatë ditës, Kurti priti deri në konfirmimin zyrtar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi republikanin Donald Trump për fitoren e shpallur në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA.

Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.

“Pres me padurim të punoj me administratën e re, për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi presidentja Osmani në X.

Me një fitore në Uiskonsin, Trump – i cili kishte udhëhequr administratën amerikane edhe gjatë viteve 2016-2020 – arriti të kalonte 270 votat elektorale që ishin të nevojshme për ta fituar presidencën.