
Kreu i LDK-së thirrje për rikthim dhe unitet brenda partisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar të shtunën në Kuvendin e partisë.
Abdixhiku ka thënë se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa vazhdimin e qëndrimit në krye të partisë e ka përshkruar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam edhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces përpara”, u ka thënë ai mediave pas përfundimit të procesit të votimit.
Abdixhiku ka thënë se partia i ka miratuar dy deklarata politike: njërën për riorganizim të partisë, dhe tjetrën për gjendjen politike në Kosovë.
Sa i përket deklaratës së dytë, ai ka thënë se partia është zotuar për dikutime të hapura me gjithë spektrin politik, me qëllim të ofrimit të një stabiliteti për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se partia është e interesuar të gjejë konsensus edhe për çështjen e presidentit të Kosovës.
“U bëj thirrje të gjithëve edhe një herë, edhe të dëshpëruarit, të larguarit, të dorëhequrit ose jo, të kthehen në shtëpinë e tyre politike në funksion të plotë politik, dhe besoj se do të gjejnë hapësirën e vet. Askush nuk do të jetë mbi anëtarësinë, e as kryetari”, deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.
Por, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim.
