Kreu i FFK-së vizitë në LRF të Mitrovicës për reformat dhe zhvillimin e futbollit
Presidenti Agim Ademi ka vazhduar vizitat për riorganizimin dhe reformat në Lidhjet Rajonale të Futbollit, teksa sot ka qëndruar në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Mitrovicës.
Gjatë kësaj vizite pune, ku shoqërohej nga anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti, u prit nga kryetari i LRF-së së Mitrovicës, Bardhec Seferi, së bashku me bordin dhe administratën e këtij regjioni.
Kreu i FFK-së vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e administratës së LRF-së së Mitrovicës, duke theksuar rëndësinë e reformave që po ndërmerr FFK-ja për të ngritur në një nivel të ri organizimin e futbollit në vend.
Një nga prioritetet kryesore të reformave, siç u theksua gjatë diskutimit, është implementimi i programit të digjitalizimit, që synon thjeshtimin e proceseve administrative dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e aktiviteteve të futbollit.
Presidenti Ademi theksoi se LRF e Mitrovicës ka një histori dhe traditë të pasur në futbollin e Kosovës dhe është njëra prej çerdheve të talenteve të futbollit. Ai tha se me reformat që do të zbatohen hapet një kapitull i ri që do të thjeshtojë procedurat dhe do të ofrojë më shumë transparencë.
Në takim u diskutua edhe për projekte konkrete që do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në rajonin e Mitrovicës, me theks të veçantë në krijimin e mundësive më të mira për talentet e reja.
Kryetari i LRF-së së Mitrovicës, Bardhec Seferi, e falënderoi presidentin Ademi për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në avancimin e futbollit dhe shprehu gatishmërinë e bordit dhe administratës së këtij regjioni për të dhënë kontribut maksimal në realizimin e objektivave strategjike të FFK-së.