
Krasniqi uron Ditën e Kushtetutës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e këtij dokumenti themelor si bazë e shtetit të pavarur dhe sovran.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik – është reflektim i përpjekjeve tona për liri, për drejtësi dhe për një të ardhme më të mirë për çdo qytetar”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se pavarësisht përparimit në 17 vitet e fundit, Kosova ende përballet me sfida në zbatimin e plotë të frymës kushtetuese në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Të gjithë ne, pa dallim, e kemi obligim ta mbrojmë, ta forcojmë dhe ta zbatojmë Kushtetutën – jo vetëm si dokument, por si udhërrëfyes të përbashkët për një shtet funksional, të zhvilluar dhe demokratik”, shtoi ai.
Në fund, kryetari Krasniqi dha një mesazh të qartë për rëndësinë e respektimit të Kushtetutës:
“Sepse kush e përbuz Kushtetutën, nuk e sfidon vetëm ligjin – por e mohon vetë idenë e shoqërisë ku sundon e drejta, dhe e vendos veten përballë qytetarit, përballë shtetit dhe përballë historisë. Gëzuar Dita e Kushtetutës!”.