Krasniqi: Kushdo që arrin të formojë qeverinë, nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa siguresa kontrolli

Krasniqi: Kushdo që arrin të formojë qeverinë, nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa siguresa kontrolli

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim ka theksuar se Kosova po e përmbyll me sukses fushatën zgjedhore më të gjatën që nga shpallja e pavarësisë, sipas tij, pa ndonjë incident serioz që do të cenonte procesin.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se PZAP ka qenë në krye të detyrës, duke u kujdesur për “higjienën” e fushatës, pavarësisht përpjekjeve të disa partive politike për ta përshkallëzuar atë me gjuhë përçarëse.

“Një mangësi edhe e këtyre zgjedhjeve, mbetet mungesa e kurajës të atyre që e konsiderojnë veten favorit për tu ballafaquar në debate televizive me rivalët politikë. Në mungesë të këtyre përballjeve, diskursi publik për fushatën po reduktohet në përmasat e tubimeve zgjedhore. Kush kishte më shumë njerëz në tubim, në vend se kush kishte idetë më të mira për zgjidhjen e problemeve tona!”

“Tani sfida mbetet tek KQZ-ja. Ndryshimet ligjore – veçanërisht shtimi i opsioneve për votim jashtë vendit dhe numërimi ndaras i votave të kandidatëve – do ta vështirësojnë ndjeshëm organizimin e zgjedhjeve dhe mund të rrezikojnë integritetin e tyre. Urojmë që KQZ të arrijë ta menaxhojë procesin me sukses!”, ka thënë Krasniqi.

Ndër tjera, Krasniqi ka shtuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme për ruajtjen e demokracisë. Kushdo që arrin të formojë qeverinë, nuk duhet të lihet i vetëm dhe pa siguresa kontrolli, që të mos devijojë nga rruga e popullit.