​Krasniqi kritikon pushtetin pse nuk pati manifestim zyrtar në 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s

​Krasniqi kritikon pushtetin pse nuk pati manifestim zyrtar në 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se 25-vjetori i intervenimit të NATO-s është moment historik për popullin tonë.

Krasniqi derisa ka folur për bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, ka kritikuar pushtetin se nuk ka organizuar asnjë manifestim qendror.

“Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjënë Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfillëse dhe mosmirënjohëse ndaj aleatëve tanë të përhershëm”, ka theksuar ai.

Kreu i PDK-së, tutje ka shkruar se intervenimi i NATO-s, ka ndalur gjenocidin serb në Kosovë.

“Nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta”, ka pohuar ai.

Tutje,  ai ka shkruar se “mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përhershme dhe e paharruar”.

“Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike. Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit”.