Krasniqi: Jemi 7 deputetë, do ta votojmë kryeparlamentarin dhe Qeverinë Kurti

Krasniqi: Jemi 7 deputetë, do ta votojmë kryeparlamentarin dhe Qeverinë Kurti

Grupi i komuniteteve jo-serbe ka bërë me dije se do të mbështesë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, si dhe qeverinë që sipas tyre, do të udhëhiqet nga Albin Kurti.

Ministri në detyrë i Administratës së Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, para mediave ka theksuar se ata tashmë e dinë emrin që do të propozohet nga LV-ja për kryeparlamentar, por zgjodhën të mos e bëjnë publik ende.

“Ne jemi grupi parlamentar i komuniteteve. Në këtë grup do të jenë së paku edhe dy deputetë të KDTP-së, partisë turke. Jemi 7 aktualisht, që nënkupton se do ta votojmë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë”, ka shprehur Krasniqi.

Ai ka theksuar se përkrahja për qeverinë Kurti është e natyrshme, duke theksuar rezultatin e fortë që kjo parti ka marrë në zgjedhje. “Ne jemi për qeverinë Kurti, për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve. Edhe tash po i relativizojmë numrat – është 42.3%, thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka theksuar ai.