Krasniqi falënderon votuesit: Kosova ka nevojë për qeveri të përgjegjshme sa më shpejt

Krasniqi falënderon votuesit: Kosova ka nevojë për qeveri të përgjegjshme sa më shpejt

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Krasniqi i falënderoi të gjithë votuesit e PDK-së për besimin e rreth 200 mijë qytetarëve që tha se i mbështeten në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai tha se garuan me kandidatin, vizionin dhe listën më të mirë për Kosovën dhe se prezantuan projektin më të duhur për zhvillimin e vendit.

Falenderim i plotë i Krasniqit:

Faleminderit! Kjo është fjala e parë dhe më e sinqertë që e ndjej t’ua them pas përfundimit të numërimit të votave. Faleminderit për besimin e rreth 200 mijë qytetarëve që na mbështetën në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Garuam me kandidatin, vizionin dhe listën më të mirë për Kosovën. Prezantuam projektin më të duhur për zhvillimin e vendit. Dhe u rritëm – me 50 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e fundit, një rezultat historik për partinë tonë.

Ky është një vlerësim për punën tonë, përkushtimin tuaj dhe besimin se Kosova mundet ma mirë. Por, a është ky maksimumi ynë? Jo! A mundemi më shumë? Patjetër!

Tani nis akti tjetër – ku me të njëjtën energji dhe përkushtim, ecim përpara! Pas fitores sonë në zgjedhjet lokale, ky është një tjetër hap drejt rikthimit të madh.

Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, falënderoj të gjithë qytetarët për një proces demokratik shembullor. Megjithatë, mbetet e domosdoshme puna e vazhdueshme për të garantuar çdo votë dhe për të eliminuar çdo dyshim që ende mund të ekzistojë.

Thënë këtë, sot Kosova ka shumë nevojë për qartësi, stabilitet dhe zhvillim. Ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme sa më shpejt, sepse ka nevojë për shpresë dhe besim. Ka nevojë për miq, partnerë dhe aleatë – sepse asnjëherë, e veçanërisht sot, koha nuk pret për ata që hezitojnë. Prandaj, çdo parti që ka marrë votën e qytetarëve duhet ta përkthejë atë në veprim, duke e vënë në shërbim të interesit qytetar.

Kosova është Atdheu ynë që nuk falet! Dhe Atdheu ynë meriton ma mirë!