Krasniqi e Hamza vizitojnë familjen e Thaçit dhe Veselit: Ata do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, të martën, me rastin e 4-vjetorit të arrestimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit Kadri Veseli, ka vizituar familjet e dy ish-liderëve të PDK-së.
“Sot, kur po bëhen 4 vite nga arrestimi i tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në dy takime të përzemërta që pata me Lumen dhe Endritin, gruan dhe të birin e presidentit Thaçi, si dhe me Violetën, bashkëshorten e kryetarit Veseli – rikthyem në kujtesë momentet më krenare me ta si familjarë e bashkëpunëtorë, fjalët me peshë e rrugën që na e trasuan drejt fitoreve e sukseseve”, ka shkruar lideri i PDK-së.
Krasniqi ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli u lindën për t’i shërbyer atdheut.
“Fati i Kosovës, u bë fati i tyre. Rrugëtimi i tyre ndër dekada, si çlirimtarë, shtetformues dhe liderë vizionarë – është një histori e jashtëzakonshme dashurie dhe kontributi për Kosovën. Thënë më mirë, ata dhe shokët e tyre janë vetë historia”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Kryetari i PDK-së tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë shokët e tyre do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë e fundit për të vërtetën e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pa dyshim, dielli do të lindë përsëri”, shkroi ai.
Ndërkaq Bedri Hamza ka theksuar se nëntorët e viteve të fundit nuk janë si më parë.
“Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, po i mungojnë Kosovës, familjeve dhe gjithë neve. Sot i vizituam familjet e tyre, të cilat janë plot me shpresë, siç jemi edhe ne, që ky proces i stërzgjatur së shpejti do të marrë fund me konfirmimin e pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe rikthimin e tyre në mesin tonë. Sot, më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta, për Kosovën dhe të ardhmen e popullit tonë”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.