Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj presin në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier

Krasniqi, Abdixhiku dhe Haradinaj presin në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. “Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorit Hovenier i shpreha mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm në procese dhe situata sfiduese për Kosovën. Me këtë rast, ia dhurova fotografinë tonë të përbashkët nga takimi ikonik i vitit 2010, si pjesë e delegacioneve të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe nënpresidentit Joe Biden. Po ashtu, ia dhurova edhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës për ta falënderuar për angazhimin e tij të palodhur në avancimin e interesave të përbashkëta mes shteteve tona. Ishte kënaqësi të bashkëpunojmë në këtë rrugëtim. Suksese të mëtejme miku ynë!”, ka thënë Krasniqi.

Ambasadorin e ShBA-ve Jeffrey Hovenier, e ka pritur në takim lamtumirës edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“E falënderova për gjithë angazhimin e gjithë përkushtimin e tij, jo vetëm si ambasador, por dhe si përfaqësues amerikan i viteve të shpalljes së pavarësisë. Jeff ka qenë njohës i mirë i Kosovës, ka qenë përfaqësues i mirë i interesave strategjike të ShBA-ve në Kosovë; dhe mbi të gjitha kujdestar i përkushtuar i relacioneve mes dy popujve! Jeff, ka qenë pasionant i futbollit kosovar. Kemi ndjekur bashkë lojëra të shumta të Kombëtarës së Kosovës. Në LDK, u kujdesëm që si gjysh i 6 mbesave e 1 nipi që është – me të kthyer në shtëpi, t’u dhurojë atyre nga një fanellë të kombëtares sonë me emrat e tyre në to. T’i mbajnë si kujtim të përhershëm nga shteti i fundit ku ai shërbeu si ambasadorë. LDK pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe historik me ambasadorin e ri të administratës së re, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse lidhja jonë është ideologjike, është insitucionale, është afatgjate – tash e 35 vjet!”, ka shkruar në “Facebook” Abdixhiku.

Ambasadorin amerikan është pritur në takim lamtumirës edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Jeffrey Hovenier, ka qenë shumë më shumë se sa Ambasador. Ai ishte mik, partner e kontribuues i jashtëzakonshëm i afrimit të Kosovës me Amerikën dhe Amerikës me Kosovën. E jashtëzakonshme ka qenë ndihma e tij edhe në kapërcimin e sfidave me të cilat jemi përballur gjithë këto vite si dhe në forcimin e demokracisë në vend. Për kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij amerikan, ambasadorit Hovenier, sot i kam ndarë mirënjohjen ‘Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.