
KQZ-ja merr vendim për emërimin e 216 anëtarëve të KKZ-së në 38 komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 40, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.
Në fillim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për emërimin e 216 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Republikës së Kosovës, të cilët përfaqësojnë subjektet e ndryshme politike. Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit për edukim dhe informim për zgjedhjet lokale 2025.
Ky plan synon të informojë çdo qytetar me të drejtë vote, pavarësisht moshës, gjinisë, nevojave të veçanta, vendbanimit apo përkatësisë etnike.
Gjithashtu, ky plan përfshinë të gjitha aktivitetet për secilën nga fazat e procesit zgjedhor edhe bashkëpunimin me institucionet e ndryshme për të dërguar informacionet, mesazhet për procesin zgjedhor te votuesit dhe te palët e interesit, përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit.
Për hartimin e këtij plani, janë marrë për bazë kërkesat ligjore, përvojat nga proceset e kaluara zgjedhore dhe rekomandimet e dala prej raporteve, analizave, hulumtimeve dhe dokumenteve specifike pas proceseve të ndryshme zgjedhore.
Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së u njoftuan për përmbylljen e afatit për partitë politike për deklarim të koalicioneve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale 2025.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës 15 ditore (9 qershor – 23 qershor), në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike këto parti politike kanë njoftuar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit: (1) “Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe (2) Koaliconi “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Naša Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.
Gjithashtu, në të njëjtën kohë është përmbyllur edhe afati për partitë politike për deklarim të mospjesëmarrjes.
Gjatë kësaj periudhe, këto parti politike kanë njoftuar se nuk do të garojnë në zgjedhje: (1) Organizata Balli Kombëtar Demokrat (OBKD); (2) Partia Demokratike e Diasporës (PDD); (3) Partia e Drejtësisë (PD); (4) Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP) dhe (5) Partia Balliste (PB).