KQZ-ja fillon përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, ndan 1 milion euro…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e së enjtes, KQZ-ja ka marrë vendim për miratimin e specifikave për furnizim me kamera që do të përdoren në vendvotime për zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Shuma e përgjithshme e planifikuar për këtë aktivitet prokurimi sipas KQZ-së është 1 milion euro.
Për herë të parë, KQZ-ja përdori kamerat në vendvotime në procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, i cili u mbajt më 21 prill 2024.
Këto kamera, KQZ-ja e Kosovës i kishte huazuar nga KQZ-ja e Shqipërisë.
Anëtari nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, tha se vendosja e kamerave në vendvotime, sipas KQZ-së, ka për qëllim ruajtjen e integritet të procesit zgjedhor.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e LV-së, Sami Kurteshi ngriti për diskutim çështjen nëse mund të bëhet ky furnizim nëse zgjedhjet mbahen së shpejti.
Sipas shpjegimeve që u dhanë në këtë mbledhje, kjo është një procedurë e rregullt prokurimi dhe do të ishte e pamundur që ky proces të përmbyllet deri në muajin korrik.