Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të enjten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Në një mbledhje pasditen e së enjtes në Prishtinë, KQZ-ja e miratoi certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve me 9 vota për dhe 2 kundër.
Rezultatet u certifikuan një ditë pasi kaluan të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, duke i marrë 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind.

Zgjedhjet parlamentare 2025: Kurti shpall fitoren
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.
Tre kryetarë komunash – përfshirë kandidatin e PDK-së për kryeministër në këto zgjedhje Bedri Hamza – hoqën dorë nga mandati i deputetit, sepse, sipas ligjeve dhe Kushtetutës, nuk kanë të drejtë t’i mbajë dy pozita zyrtare.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të zëvendësohet nga Arben Gashi. Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti do të zëvendësohet nga Paris Guri, ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, do të zëvendësohet nga Rashit Qalaj.