KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 50.91 për qind e votuesve në diasporë

KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 50.91 për qind e votuesve në diasporë

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 10.306 persona apo 50.91 për qind e votuesve të regjistruar.

Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se gjithçka është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem gjatë procesit të votimit.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.