
KPM-ja e zgjedh kryetarin e ri mes polemikash
Besnik Berisha është zgjedhur kryetar i ri i Komisionit të Pavarur për Media (KPM) të premten, në një proces që u kundërshtua nga kryetari i tanishëm, Jeton Mehmeti.
Katër prej pesë anëtarëve të bordit të KPM-së votuan për ta zgjedhur Berishën për një mandat dyvjeçar – disa ditë para se t’i mbarojë mandati kryetarit të tanishëm, më 21 janar.
Votimi ishte i fshehtë.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias Flutura Kusari, e quajti “kompletim të kapjes” së KPM-së emërimin e Berishës, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shprehu shqetësim me procesin e zgjedhjes së tij.
Komisioni i Pavarur i Mediave – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë.