Kosovës i shtohen 462 policë të rinj

Kosovës i shtohen 462 policë të rinj

Nën intonimin e himnit shtetëror të premten ka diplomuar 462 kadetë të Policisë së Kosovës të gjeneratës së 61.

Prej tyre 79 kadetë të diplomuar janë nga komuniteti serb në Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin personalitete të larta shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me diplomimin e gjeneratës së 61 po fuqizohet edhe më shumë Policia e Kosovës.

Ajo ka theksuar se atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë apo 462 djem e vajza në mbrojtje të vendit tonë.

“Janë 56 vajza e gra në këtë grup, por na duhen dhe më shumë. Policia jonë është me ne në çdo ditë, në çdo festë, edhe kur ne pushojmë. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre është i pashoq. Ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. I përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit dhe atyre që ranë në detyrë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë se të veshësh uniformën policore dhe t’u përgjigjesh thirrjes së qytetarëve.

Ai ka thënë se zotimi i tyre ishte për 2000 policë të rinj. Sipas Kurtit, për katër vjet diplomuan 6 gjenerata, që me sot, i bie gjithsej 2475 pjesëtarë të rinj policorë.

“Struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate kadetësh që nga sot po bëhen policë, e tregon edhe vet strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit të Kosovës. Në gjeneratën e 61-të, sot po diplomohen gjithsej 462 pjesëtarë të ri të Policisë, prej të cilëve 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Nga kjo gjeneratë, 343 pjesëtarë janë shqiptarë, 79 serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 6 egjiptianë, 3 ashkali dhe 2 pjesëtarë janë romë. Kjo larushi etnike, përveçse e reflekton barazinë në qasje dhe mundësi ndaj secilit në shoqërinë tonë, e shpërfaq edhe suksesin e integrimit të komuniteteve joshumicë në institucionet e Kosovës, deri këtu në institucionet e sigurisë”, ka thënë kryeministri Kurti.