
Kosova vlerësohet si rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm me Bankën Botërore
Të hënën është mbajtur në Prishtinë konferenca e përbashkët për medie nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio.
Ministri Murati vlerësoi lart rolin e Bankës Botërore dhe të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim (International Development Association – IDA) si një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, IDA – si krahu zhvillimor i Bankës Botërore për më shumë se 15 vite ka mbështetur vendin tonë me projekte zhvillimore me kushte jashtëzakonisht të favorshme.
Ministri Murati ka bërë me dije se deri më tani janë nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje në vlerë prej 376 milionë euro, ndërsa 289 milionë euro janë disbursuar.
Këto projekte përfshijnë sektorë jetikë si tregtia dhe transporti, sistemi shëndetësor, edukimi i hershëm, zhvillimi i sektorit financiar, si dhe mbështetja për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës.
Murati gjithashtu nënvizoi faktin se Kosova, për herë të parë, ka marrë pjesë si shtet donator në mbledhjen e fundit për rimbushjen e fondit të IDA-s, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetësisë dhe të imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart përkushtimin e Kosovës për ofrimin e ndihmës ndaj shteteve të tjera dhe për zhvillimin ekonomik, veçmas në kohën e krizës globale.
Ai shtoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim), duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit.
Sipas tij, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat e përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta.
“Vite më parë, Kosova qëndronte mes shteteve që rindërtoheshin nga vështirësitë, duke shfrytëzuar mbështetjen e IDA-s për të hedhur themelet e rritjes. Sot ju i keni shndërruar sfidat në mundësi, duke u shfaqur si një partner i gatshëm për të shtrirë dorën e ndihmës edhe për të tjerët. Ky kalim nga përfitues në kontribues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit”, ka theksuar Nishio.