Kosova U16 e mbyll turneun zhvillimor në Estoni me përvojë të vlefshme

Kosova U16 e mbyll turneun zhvillimor në Estoni me përvojë të vlefshme

Kombëtarja e Kosovës U16 për vajza e ka përfunduar pjesëmarrjen në turneun zhvillimor të UEFA-s në Estoni me humbje ndaj skuadrës favorite të grupit, Islandës, me rezultat 3:1.

Vajzat e drejtuara nga Xhuli Berisha e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar në epërsi që në minutën e 11-të me golin e Krenare Kelmendit. Megjithatë, në vazhdim, Islanda e rriti presionin dhe arriti ta barazojë rezultatin në kohën shtesë të pjesës së parë përmes Anna Heiða Óskarsdóttir.

Në pjesën e dytë, islandezet dëshmuan forcën e tyre, duke realizuar edhe dy gola të tjerë me autore Rebekka Sif Brynjarsdóttir dhe Eva Marín Sæþórsdóttir, për të dalë kështu fituese e turneut, pasi paraprakisht kishte realizuar dy fitore bindëse ndaj Estonisë (6:0) dhe Sllovakisë (3:0).

Kosova U16 e nisi turneun me fitore ndaj ekipit vendas, Estonisë, me rezultat 5:3, ndërsa në ndeshjen e dytë u mposht nga Sllovakia me rezultat 2:0.

Pavarësisht rezultateve, ky turne ishte një mundësi e shkëlqyer për futbollistet e reja dardane të fitojnë përvojë ndërkombëtare dhe të përgatiten për sfidat e radhës me gjeneratën U17 në kuadër të ndeshjeve kualifikuese.

Në këtë turne Kosova u paraqit vetëm me lojtare nga kampionati vendor.