Kosova triumfon bindshëm ndaj Armenisë në miqësore

Kosova triumfon bindshëm ndaj Armenisë në miqësore

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive me një fitore të thellë 5:2 ndaj Armenisë, në ndeshjen miqësore të zhvilluar të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe pse Dardanët e nisën takimin me disa luhatje dhe dy herë u gjend në disavantazh, në pjesën e dytë reaguan fuqishëm, duke e përmbysur plotësisht rezultatin dhe duke siguruar fitore të merituar.

Armenët kaluan në epërsi në minutën e 8-të, kur gjuajtjen e Nair Tiknizyan e devijoi portieri Amir Saipi. Shifrat i barazoi Lumbardh Dellova me një supergol nga distanca, në minutën e 23-të. Vetëm gjashtë minuta më vonë mysafirët rikthyen epërsinë përmes Eduard Spertsyan dhe pjesa e parë u mbyll 1:2.

Kosova barazoi shifrat nga penalltia përmes Mërgim Vojvodës, në minutën e 61-të, pasi paraprakisht Zabërgja u ndal brenda zonës. Pas këtij goli Dardanët mbizotëruan plotësisht. Lindon Emërllahu realizoi një tjetër gol të bukur, në minutën e 71-të, derisa më pas vulën e fitores bindëse e dha Albion Rrahmani, me dy gola (90′, 93′).

Vlen të theksohet se Kosova në këtë përballje u paraqit pa një numër të konsiderueshëm të futbollistëve titullarë, si: Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Aro Muriq, Milot Rashica, Edon Zhegrova e të tjerë. Megjithatë, lojtarët që u paraqitën dëshmuan vlerat dhe potencialin e tyre.

Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të hënën kundër Komoreve.