Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar stërvitjen zyrtare para ndeshjes ndaj Rumanisë, që do të zhvillohet të premten në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për këtë sfidë.
Përzgjedhësi Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi janë shprehur optimistë për ndeshjen para stërvitjes në konferencë për media. “Kemi pasur disa ndeshje jashtë vendit, por tani është koha për të luajtur në shtëpi. Ekipi është përgatitur mirë dhe kemi shumë alternativa për ta nisur mbarë Ligën e Kombeve. Rumania është një ekip i fortë, por e kemi studiuar mirë dhe e dimë se si sulmojnë e si mbrohen”, tha Foda.
“Jemi shumë optimistë dhe kemi bërë përgatitje maksimale. E njohim mirë Rumaninë dhe besojmë shumë në hakmarrje, por brenda vijave të fushës. Ne nuk ia bëjmë atyre, siç na bën ata neve në Rumani. Nëse fitojmë tre pikët, do të jetë goditje më e madhe për ta”, tha Muriqi.