Kosova shpreson se presidenca hungareze e BE-së do ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës
Bislimi, derisa ka theksuar rëndësinë e pranimit të pyetësorit nga Komisioni Evropian (KE), i cili konsiderohet të jetë hapi i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit në bllokun 27-shtetesh, ka shprehur optimizmin se aplikimi i Kosovës do të trajtohet gjatë presidencës hungareze të Këshillit të BE-së.
“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, ka thënë Kadiu në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të dielën.
Këshilli i BE-së duhet të shqyrtojë aplikimin e një vendi dhe t’i japë mandat KE-së për të analizuar nëse ai vend përmbush apo jo kushtet për statusin e kandidatit. Pra, pyetësori është një instrument formal përmes të cilit vlerësohet gatishmëria e një vendi për të ecur përpara, përkatësisht për të pranuar statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat.
Konkretisht, pyetësori i KE-së trajton tre fusha kryesore (Kopenhagë, 1993): kriteret politike – stabiliteti demokratik, shteti i së drejtës, respektimi dhe mbrojtja e pakicave; kriteret ekonomike – kapaciteti për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE; dhe kriteret acquis – aftësia për të marrë dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit në BE.
Kosova, pavarësisht vrullit të supozuar në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, ka shënuar një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova ka dorëzuar dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku s’e ka shqyrtuar akoma. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Sa u përket ‘hapave të njëanshëm’ dhe kritikave të BE-së, parë në kontekstin e integrimit drejt BE-së, ato do të duhej të vlerësoheshin pozitivisht dhe si hapa shtytës të funksionimit dhe sundimit të ligjit në vend, si dhe të luftimit të aktiviteteve ilegale dhe bandave kriminale. Pra, ata nuk do të duhej të ndikonin në prolongimin e procesit evropian”, ka shtuar mes tjerash Kadiu.
Ndryshe, në procesin e zgjerimit aktualisht ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, zor se mund të injorohen.