Kosova së shpejti me program zyrtar të certifikimit të udhërrëfyesve turistik
Të premten është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe GUIDEKS (Asociacioni i Udhërrëfyesve Turistik të Kosovës), për hartimin e programit zyrtar të certifikimit të udhërrëfyesve turistik në Kosovë.
Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në vend dhe promovimin e pasurive tona kulturore.
Përmes trajnimit dhe certifikimit do të zhvillohen kuadro të rinj të profesionistëve në sektorin e turizmit, udhërrëfyes me njohuri dhe aftësi të standardeve ndërkombëtare, duke e bërë përvojën e vizitorëve më të pasur dhe më autentike.
Ky program, që po hartohet për herë të parë në Kosovë vë themelet profesionale për një profesion tashmë atraktiv dhe shumë të rëndësishëm për promovimin e vendit tonë.
GUIDEKS si anëtare e Federatës Evropiane të Asociacioneve të Udhërrëfyesve Turistike të Evropës është e certifikuar për trajnim të udhërrëfyesve kombëtar dhe lokal.