
Kosova promovon paqe dhe siguri, Serbia destabilitet – thotë ministrja Gërvalla
Në fjalimin e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi qartë ndarjen mes rrugës që ka zgjedhur Republika e Kosovës drejt demokracisë, sigurisë dhe integrimit euroatlantik dhe kursit destabilizues të Serbisë, që përkeqëson situatën rajonale përmes aleancave me regjime autoritare dhe veprimeve agresive.
“Ndërkohë që Serbia përhap destabilitet, Kosova promovon siguri, partneritet dhe bashkëpunim,” deklaroi ministrja Gërvalla.
Ajo theksoi lidhjet në rritje të qeverisë serbe me Moskën, përmes vizitave të shpeshta të zyrtarëve si Gjuriq dhe Vulin, ndërsa vetë regjimi i Vuçiqit po përballet me sfida serioze në Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në të kundërt, Kosova po ecën përpara si një shoqëri e lirë, me institucione funksionale, luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe rritje të sigurisë përmes bashkëpunimit rajonal.
“Kosova qëndron krah për krah me Ukrainën në mbrojtje të vlerave demokratike. Nuk do të lëkundemi kurrë në përkrahjen për fitoren e saj ndaj agresionit rus,” u shpreh ministrja Gërvalla.
Ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë me vendosmëri përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë dhe të mbështesin rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Është koha që bashkësia ndërkombëtare ta njohë realitetin: Kosova është një shtet i pavarur dhe demokratik, i gatshëm për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan,” përfundoi Gërvalla.