Kosova pëson humbje në Budapest

Kosova pëson humbje në Budapest

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në miqësoren e dytë të muajit mars përballë Hungarisë. Pas fitores në Yerevan kundër Armenisë (1:0), Dardanët janë mundur në Budapest, me rezultat 2:0, ndonëse patën një paraqitje të mirë gjatë pjesës së parë. Kosova në “Puskas Arena” u tregua e guximshme, duke qenë mbizotëruese në kaptinën e parë.
Madje, mundësia e parë për gol iu dha Edon Zhegrovës, kur pas një depërtimi në zonë gjuajti furishëm, por gjuajtjen e tij e devijoi mbrojtësi Adam Lang. Edhe në minutat në vazhdim Kosova u shfaq stabile dhe nuk i lejoi hapësira kundërshtarit për të kërcënuar portën e Aro Muriqi.
Njëjtë vazhdoi edhe pjesa e dytë, por në minutën e 58-të një gabim në mbrojtje i dha mundësi hungarezëve që të krijojnë kundërsulm të rrezikshëm, nga i cili edhe realizuan golin e epërsisë. Ishte Dominic Szoboszlai, i cili shfrytëzoi mundësinë e dhënë dhe kaloi Hungarinë përpara.
Në minutën e 70-të një rast iu dha Fidan Alitit, por gjuajtja e tij vole nuk e gjeti cakun. Ndërkohë, në minutën e 86-të Hungaria vulosi fitoren përmes golit të Zsolt Nagyn. Kjo ishte humbja e parë e Kosovës në drejtimin e Fodës, të cilit dy miqësoret e këtij muaji i kanë shërbyer ta njohë ekipin dhe të vendosë idetë e tij rreth filozofisë së lojës që synon ta ndërtojë me Dardanët për ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator.