
Kosova përkujton Reçakun dhe kërkon drejtësi për viktimat e masakrës
Mëngjesi i 15 janarit 1999 mbetet një nga faqet më të errëta të historisë së njerëzimit. Në Reçak, forcat serbe, para syve të botës, ekzekutuan barbarisht 45 civilë shqiptarë. Burra, gra, pleq dhe të rinj të paarmatosur, u vranë mizorisht vetëm pse ishin shqiptarë. Aty, krimi shtetëror serb u zhvesh nga çdo maskë dhe u shfaq në formën më çnjerëzore të tij.
Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes dhe u tmerrua nga kufomat e masakruara.
Ai në atë kohë kishte deklaruar: “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”.
Lajmi i masakrës së Reçakut senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, liderët politikë, ish-ambasadori William Wolker dhe shumë qytetarë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.
Pas homazheve, ata kanë kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj masakre, duke theksuar se Kosova nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se për këtë krim dhe shumë të tjera, Serbia ende nuk është ndëshkuar.
“Në këtë 27-vjetor të masakrës së Reçakut, edhe një herë kujtojmë viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, ka thënë Osmani në deklaratën e saj për mediet pas homazheve.
Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka treguar për ndikimin që kjo masakër ka pasur. “Para 27 vitesh, këtu nga Reçaku nëpërmjet ambasadorit Ëalker jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut, u ndërgjegjës{{uan, mobilizuan edhe opinion publik edhe kancelaritë ndërkombëtare. Lavdi 45 martirvëe të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku”, ka thënë Kurti.
Hamazhe kanë bërë edhe liderët opozitarë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, së bashku me bashkëpartiakë ka bërë homazhe në Reçak. “Në Reçak, në përvjetorin e masakrës që tronditi botën, nderuam martirët e vrarë mizorisht nga regjimi serb. Nuk harrojmë. Nuk ndalemi. Liria e Kosovës ka emra, ka dhimbje dhe kërkon drejtësi e përgjegjësi. Lavdi të rënëve të Reçakut! Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka thënë Hamza.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se masakra e Reçakut u dokumentua dhe u denoncua para botës nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, përkatësisht ambasadori Walker, duke u cilësuar si krim kundër njerëzimit. “Ky akt tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ndikoi drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin global për realitetin në Kosovë. Reçaku e bëri botën ta shohë Kosovën me sy tjetër. Ishte momenti kur e vërteta nuk mund të fshihej më. Sot, pas 27 vitesh, kujtojnë me respekt të thellë viktimat e Reçakut dhe shprehin solidaritet të përhershëm me familjarët e tyre. Kjo ngjarje përbën një nga dëshmitë më të rënda të vuajtjeve që ka përjetuar populli ynë në rrugën drejt lirisë. Ruajtja e kujtesës historike, mbrojtja e së vërtetës dhe kërkimi i drejtësisë për krimet e luftës mbeten obligim shtetëror dhe moral. Pa drejtësi për viktimat, paqja nuk mund të jetë e plotë”, ka thënë Abdixhiku pas homazheve.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Reçak, duke theksuar se sot bëhen 27 vjet kur forcat serbe masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur në Reçak.” Në nderim të dëshmorëve dhe martirëve, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Masakra e Reçakut, ashtu si edhe masakrat e tjera ndaj popullit shqiptar, janë dëshmi e krimeve gjenocidale që aparati shtetëror serb kreu në Kosovë. Mirënjohës përjetë ambasadorit amerikan, William Walker, i cili e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falënderim i veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ishin dhe mbeten krah nesh në të gjitha periudhat historike”, ka thënë Haradinaj.
Në nderim të 45 viktimave të pafajshme që u vranë mizorisht 27 vjet më parë në Reçak, u mbajt akademi përkujtimore, nga ku u tha se Reçaku është dëshmia që Serbia kreu gjenocidin ndaj popullatës civile shqiptare.
