Kosova përgëzohet për medaljet olimpike

Kosova përgëzohet për medaljet olimpike

Federata Ndërkombëtare e Xhudos dhe Federata Evropiane e Xhudos i kanë dërguar urimet e tyre zyrtare për suksesin e Kosovës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka uruar kryetarin e Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka për fitoret e dy medaljeve olimpike.

“Puna dhe aftësia juaj e palodhur kanë bërë që të fitoni 1 medalje të argjendtë dhe 1 bronz për Kosovën gjatë Lojërat Olimpike Paris 2024…Shpresojmë që këto arritje të frymëzojnë brezin e ri, duke shërbyer si modele dhe duke kontribuar në zhvillimin dhe njohjen e xhudos në mbarë botën.”, thuhet ndër të tjerash në letrën zyrtare nga presidenti Marius L. Vizer, drejtori i përgjithshëm Vlad Marinescu dhe sekretarja e përgjithshme Lisa Allan të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Ndërkaq edhe presidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, László Tóth ka përgëzuar Federatën e Xhudos të Kosovës për arritjet e suksesshme në Olimpiadë këtë vit.

“Ky sukses në Lojërat Olimpike tregon talentin dhe shpirtin e jashtëzakonshëm brenda federatës suaj. Unë vlerësoj thellësisht përpjekjet tuaja në promovimin dhe avancimin e sportit tonë, duke kontribuar ndjeshëm në prestigjin e xhudos në skenën evropiane dhe botërore”, ka thënë ndër të tjerash në letrën e tij Toth.