Kosova ndryshon masën e sigurisë për mallrat nga Serbia në një pikë kufitare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të hënën se në një pikë kufitare me Serbinë do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.
Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar.
“Ministri i MPB-së i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Serbinë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli shtuar. Derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që do ta na vijnë skanerët atëherë do të vendosim në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që i kemi ne janë masat e sigurisë”, ka thënë Kurti.
Ai po ashtu tha se në shtatë ditët në vijim i kanë dy zhvillime të rëndësishme: mbledhja e CEFTA-s dhe Samiti i Berlinit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Për më tepër, masa e tillë ka rrezikuar kështu edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.