Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

Kosova miraton nismën për një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me SHBA-në

Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje, Kosova dhe SHBA-ja angazhohen për avancimin e bashkëpunimit “në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo nismë është në përputhje me qëllimet e Kosovës për integrimin në të madh euroatlantik.

“Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, thellimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha Maqedonci gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ekzekutivi nuk dha detaje të tjera lidhur me nismën për lidhjen e kësaj marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe kanë dhuruar pajisjeve të ndryshme ushtarake.