Kosova mëson kundërshtarët për kualifikimet e Kupës së Botës 2026
Sot në Cyrih është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet evropiane të Kupës së Botës 2026.
Në tërheqje të shortit morën pjesë presidenti Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda dhe menaxheri i ekipit, Bajram Shala.
Kosova është tërhequr në Grupin B, ku janë katër ekipe.
Krahas Kosovës në këtë grup janë edhe Zvicra, Suedia dhe Sllovenia.
Zgjerimi i numrit të pjesëmarrësve në Botërorin e vitit 2026 ka bërë që të rritet edhe numri i vendeve për ekipet anëtare të UEFA-s, nga 13 në 16.
Faza e grupeve kualifikuese do të fillojë në mars 2025 dhe do të përfundojë në nëntor 2025.
Formati i këtyre kualifikimeve është me 12 grupe me katër ose pesë ekipe, e ku fituesit e grupeve do të sigurojnë një vend në Kupën e Botës.
Katër vendet e mbetura do të vendosen më pas në mars 2026 në një ‘play-off’ të UEFA-s me 16 ekipe që përfshin 12 skuadrat e pozitave të dyta të fazës së grupeve dhe katër fituesit më të mirë të grupeve të Ligës së Kombeve 2024-2025, të cilët as nuk janë kualifikuar drejtpërdrejt në Kupën e Botës si fitues të grupeve dhe as nuk hyjnë në ‘play-off’ si nënkampione në grup.