Kosova me mungesa të rëndësishme para përballjeve me Islandën, por Foda është optimistë për fitore

Kosova me mungesa të rëndësishme para përballjeve me Islandën, por Foda është optimistë për fitore

Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot grumbullimin për dy sfidat vendimtare të play-off-it për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, që do të zhvillohen më 20 dhe 23 mars.

Në konferencën për media, përzgjedhësi Franco Foda ka folur për situatën e ekipit, mungesat për shkak të lëndimeve dhe pezullimeve, si dhe për pritshmëritë ndaj Islandës.

Kosova do të përballet me disa mungesa të rëndësishme për këto dy ndeshje. Derisa Edon Zhegrova dhe Eliot Bujupi kanë qenë jashtë listës për shkak të lëndimeve dhe Muharrem Jashari për shkak të pezullimit, në fundjavë lëndime kanë pësuar edhe Fisnik Asllani dhe Florent Hadërgjonaj, duke pamundësuar grumbullimin e tyre për këto dy ndeshje.

“Kemi disa mungesa, tani duhet të gjejmë zgjidhje të reja. Islandën e kemi studiuar shumë mirë, e dimë që është është intensive në lojën e saj dhe mjaft agresive dhe ka lojtarë shumë të mirë te Lille dhe Real Sociedad. Por, tani e rëndësishme është që idenë tonë ta zbatojmë në fushë, të tregojmë paraqitje sikundër Rumanisë. Shpresoj shumë të fitojmë në shtëpi. Duhet të bëjmë intensitet të shtuar në lojë dhe t’i zbatojmë idetë tona”, tha Foda.

Ai vlerësoi se gjasat për të dyja kombëtaret janë të barabarta, por tha se pret një mbështetje të madhe nga tifozët në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”.

“Islanda është një kundërshtar i fortë, gjasat janë 50:50 që të fitojmë në shtëpi. Me atmosferën që do të krijojnë Dardanët sigurisht se do të kemi përparësi. Për të arritur objektivin duhet të fitojmë dy ndeshjet. Është e rendësishme të kemi një paraqitje të mire në fushë. Të luajmë si ekip i bashkuar, të tregojmë mendësi të fortë dhe ta përkrahim njëri-tjetrin në fushë. Kështu e arrijmë fitoren”, shtoi Foda.

Sa i përket lëndimit të Amir Rrahmanit, Foda tha se ai ka problem të lehta muskulore. “Ai do të vijë në kampin stërvitor dhe do të shohim në ditët në vijim si do të shkojë ecuria e tij dhe nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes”, tha trajneri gjerman.

Ai ka folur edhe për lojtarët e rinj të grumbulluar. “Lion Abdullahun dhe Dion Gallapenin i kam njohur në kampin stërvitor të janarit. Ata kanë marrë ftesë sepse kanë pasur paraqitje shumë të mirë në kamp. Demakun e njoh nga Austria dhe i kam kushtuar shumë kujdes. Këta lojtarë të rinj e kanë mbështetjen e stafit të trajnerëve dhe ne e kemi një përshtypje të mirë dhe sigurisht se këta tre lojtarë kanë përspektivë të mirë në kombëtare”, nënvizoi Foda.

Lidhur me mosftesën e Meriton Korenicës, trajneri tha se mendon se lojtarët që i ka ftuar janë të duhurit për këto dy ndeshje. “Po lojtarin Korenica e njoh që një kohë të gjatë. E kam njohur që kur ishte te Ballkani, e tani e kam vështruar edhe në ndeshjet e tij të fundit. Fatkeqësisht nuk mund të ftoj 30 lojtarë. Ne mund t’i ftojmë vetëm 25 lojtarë dhe këta që i kam ftuar na kanë bindur që janë të duhurit. Në qershor i kemi ndeshjet miqësore, nëse lojtari në fjalë vazhdon në formë të mirë mund të vijë një ftesë për ato ndeshje”, tha ai.

I pyetur lidhur me largimin e Etnik Brrutit, i cili ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë, si dhe për lojtarët e tjerë të rinj që kanë hamendje të tilla, Foda tha: “E kemi zhvilluar një kamp stërvitor me lojtarë të rinj në janar dhe aty ka qenë edhe Brruti. Po ashtu e kam parë në shumë ndeshje të Malishevës. Kam biseduar personalisht me të në janar dhe i kam dhënë sqarimet dhe konsultat e mia se ku duhet të përmirësohet. Natyrisht se ka qenë një lojtar me shumë perspektivë, ka qenë kapiten i Kombëtares U18 dhe i Kombëtares U21, por për mua me rendësi është që një lojtar i Kosovës cilido që të jetë ai të luajë dhe të vendos me zemër për Kosovën. Tani ai ka vendosur te luaj për Shqipërinë dhe është vendim i tij të cilin duhet ta pranojmë. Nuk ka pasur ftesë për ndeshjet e marsit, sepse kemi vendosur për lojtarë të tjerë. Por, për të ardhmen ka qenë një opsion real. Drilon Hazrollaj e Milot Avdyli a mund të ndjekin të njëjtën rrugë? Nuk kam informata nëse ata do të luajnë apo jo për Shqipërinë. Mirëpo, me të dy lojtarët kam pasur kontakte. Drilonin e kemi pasur në ekipin tonë. Por dua të theksoj se secili lojtar që ka paraqitje të mira dhe tregon cilësi ai gjithsesi se do të ftohet. Se a do të shkojnë për Shqipërinë nuk e di, mirëpo për mua me rëndësi është që çdo lojtarë që dëshiron të luajë për Kosovën duhet të luajë dhe të vendos me zemër për Kosovën. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme sidomos për lojtarët e rinj që i kalojnë katër – pesë ndeshje të mira të mos mendojnë se menjëherë marrin ftesë prej Kombëtares së Kosovës dhe të mendojnë menjëherë për largim në një kombëtare tjetër. Nuk është kjo rruga e duhur, rruga e duhur është që ata javë për javë të tregojnë aftësi të mira dhe të zhvillohen. Unë jam rregullisht këtu në Kosovë dhe i vëzhgojë të gjitha ndeshjet e kampionatit të Kosovës dhe ata që do të tregojnë cilësi sigurisht se do të ftohen”.

Foda tutje ka thënë se të gjithë lojtarët që kanë luajtur për Kosovën apo do të luajnë në të ardhmen dhe të gjithë ata që kanë pasaportë të Kosovës duhet të jenë të vendosur se për kë do të luajnë. “Ata mund të tundohen të luajnë për Zvicrën, Shqipërinë, Gjermaninë apo ndonjë kombëtare tjetër, por ai lojtar që vendos për Kosovën, duhet të vendos me zemër. Dhe është e rendësishme që të gjithë ta kuptojnë këtë; të jenë të vendosur dhe të tregojnë karakter. Kam kontakte të shumta me shumë lojtarë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit dhe asnjë lojtari nuk i bëj presion. Ata duhet të vendosin vetë për kë dëshirojnë të luajnë dhe ata janë përgjegjës për veprimet e tyre. Është e qartë edhe për neve se nuk mund të luajnë të gjithë për Kosovën. Siç e kemi pasur rastin me ardhjen e Rexhebaqajt, Saipit e Demakut, por nuk kemi hapësirë për të gjithë lojtarët. E rëndësishme është që ata të tregojnë përgjegjësi”, theksoi Foda.