
Kosova mbyll përgatitjet për miqësoren ndaj Komoreve, Foda paralajmëron lojë ofanzive
Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet për miqësoren e radhës kundër Kombëtares së Komoreve. Seanca e fundit stërvitore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku nesër, në orën 19:00 do të luhet ndeshja.
Atmosfera në ekip është pozitive dhe përzgjedhësi Franco Foda, bashkë me stafin e tij teknik, ka përdorur këtë seancë për të finalizuar përgatitjet taktike dhe për të vlerësuar formën e futbollistëve, para përballjes që vlerësohet si test i rëndësishëm para kualifikimeve të Kampionatit Botëror në muajin shtator.
Para stërvitjes, përzgjedhësi Foda dhe sulmuesi Albion Rrahmani kanë folur për mediat në konferencën zyrtare.
“Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe do të shohim cilët lojtarë do t’i angazhojmë. Në bazë të kësaj stërvitjeje do të ketë mundësi edhe për ndonjë ndryshim eventual. Megjithatë, sigurisht që nuk do të eksperimentojmë shumë, sepse është ndeshja e fundit para kualifikimeve të Botërorit në shtator”, theksoi Foda.
Ai u ndal edhe te progresi i ekipit që nga marrja e detyrës dhe qasja që do ta karakterizojë ndeshjen ndaj Komoreve.
“Që nga viti i kaluar, kur jam angazhuar, kemi pasur parime të qarta loje dhe ide të qarta se si t’i zbatojmë ato në fushë. Do të bëjmë presion ndaj kundërshtarit që nga minuta e parë dhe do të luajmë në mënyrë ofanzive”, tha ai.
Ait tutje theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të luajë në mënyrën e njëjtë sikur ndaj Armenisë, por të jetë më e aftë para portës.
“Kemi shënuar gola dhe kemi bërë 38 goditje, prej tyre 16 në portë –që është diçka e rrallë. Në shtator do të kemi kundërshtarë më të fortë dhe nuk do t’i kemi kaq shumë raste, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që na jepen”, tha ai.
Foda u pyet rreth paraqitjes së Florian Haxhës, teksa vlerësoi atë për potencialin. “Jo vetëm Florian Haxha, por edhe Baton Zabërgja kanë treguar cilësi shumë të mira dhe janë stërvitur mirë. Janë lojtarë të rinj me potencial për të ardhmen e Kombëtares. Sidomos Haxha ka një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me lëvizjet e tij e bën skuadrën më të rrezikshme”, shtoi ai.
Trajneri gjerman theksoi se e kanë analizuar mirë edhe lojën e kundërshtarit:
“Sot paradite bashkë me lojtarët e analizuam kundërshtarin. Ata luajnë me sistemin 4-3-3 dhe shumica e lojtarëve aktivizohen në Francë. Janë të mirë në posedim të topit dhe shumë aktivë në sulm. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por duhet të jemi më stabilë dhe t’i shfrytëzojmë rastet që krijojmë”, nënvizoi Foda.
I pyetur nëse me Kosovën do ta përsërisë suksesin që kishte arritur nën drejtimin e Austrisë, duke i kualifikuar Dardanët në Botëror, ai theksoi: “Tani na ka mbetur edhe kjo miqësore. Por, sigurisht, çdo trajner i ka ëndrrat dhe qëllimet e veta. Jemi të vetëdijshëm se kemi një grup të vështirë, por me të gjithë lojtarët dhe bashkëpunëtorët, synojmë ta arrijmë qëllimin tonë dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur kualifikimin”.
Ndërkaq, sulmuesi Albion Rrahmani, i cili ka shënuar dy gola në ndeshjen kundër Armenisë, u shpreh i motivuar për të vazhduar me të njëjtin ritëm.
“Patjetër që është një shtysë shumë e madhe për mua dhe jam krenar që kam shënuar gola. Shpresoj që të mos ndalem dhe ta ndihmoj Kombëtaren në maksimum. Patjetër që vij këtu për të luajtur dhe do të jap 100 përqindshin sa herë të më jepet mundësia dhe do të mundohem ta tregojë veten në mënyrën më të mirë të mundshme që ta bindi trajnerin dhe t’i gëzojmë gjithë tifozët tanë”, tha Rrahmani.