Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Dy ndërmarrje publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut – Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore – u mbyllën më 26 dhjetor.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radio Evropën e Lirë se autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve gjendeshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në “Facebook” se është mbyllur një institucion, i cili “jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre”.

Në postimin e tij, Sveçla e publikoi edhe një video e cila duket se shfaq një fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe emblema të shtetit serb brenda objektit. “Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, tha Sveçla.

Elshani theksoi se është kontaktuar edhe prokurori i kompetent, pasi është konstatuar se në këto ambiente punojnë “struktura ilegale dhe paralele”.

Ai tha se është iniciuar rast për “falsifikimin e dokumenteve” dhe se ndërtesa ku kanë qenë këto zyra të ndërmarrjeve publike serbe do të jetë nën mbikëqyrjen e Policisë deri sa “rasti të zgjidhet”.

Pas mbylljes së zyrave të dy ndërmarrjeve serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet”. “Rreth 70 punonjës të këtyre institucioneve janë legitimuar dhe më pas janë urdhëruar të largohen zyrat, pasi atyre u është thënë se nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, tha kjo zyre përmes një reagimi për media.

Ajo i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe “të parandalojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nga shkaktimi i konflikteve”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se “hyrja” e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vënë në rrezik 70 punonjësit, dhe se ata do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre.

Institucionet e Kosovës që veprojnë në sistemin e Serbisë konsiderohen të paligjshme, dhe për këtë arsye, që në fillim të vitit ka nisur mbyllja e tyre.