Kosova ka nevojë urgjente të dalë nga bllokada

Kosova ka nevojë urgjente të dalë nga bllokada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e PDK-së Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se pati një takim të ngrohtë dhe miqësor me ambasadorin italian, të cilin e uroi për nisjen e mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

Postimi i Krasniqit:

Sot pata kënaqësinë të mirëpres në selinë e PDK-së Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

Italia ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Kosovës – në çlirim, në shtetndërtim dhe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Këtë miqësi e vlerësojmë thellësisht dhe duam ta forcojmë më tej.

Me ambasadorin biseduam edhe për situatën aktuale politike në vend. Kosova ka nevojë urgjente të dalë nga bllokada, sepse qytetarët po përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për institucione funksionale dhe veprime konkrete – jo pritje të pafundme.

PDK ka dëshmuar se është gjithmonë e gatshme për komunikim – me të gjithë faktorët vendorë dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë – për të mirën e vendit dhe qytetarëve tanë.