Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

Përdorimi i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, po i shkakton dëme milionëshe buxhetit të vendit, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.

Përveç kësaj, përdorimi i dinarit konsiderohet antiligjor dhe antikushtetues.

Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.

Janë mbi 50 mijë qytetarë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, raporton Kosovapress.

Sllavica Jankoviq, pensioniste nga veriu i Mitrovicës, tha se në atë pjesë përdoren dinari dhe euro si valuta për blerje nëpër dyqane.

Ajo pranoi se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

“Kush qysh gjendet, këtu përdoren njëra dhe tjetra (dinari dhe euro). Pensionin e marrim në dinarë”, tha Jankoviq.

Edhe Momir Millojeviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, bëri të ditur se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

“Në dinarë, pensionin e marrë në postë”, tha ai.

Analisti serb, Branisllav Krstiq, theksoi se në Kosovë janë rreth 60 mijë qytetarë serbë të cilët marrin paga në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Ai konsideron se me formimin e asociacionit, kjo çështje do të zgjidhet, sepse institucionet paralele do të funksionojnë në kuadër të një buxheti të përbashkët, dhe pagat nga Beogradi për serbët e Kosovës, do të ekzekutohen në euro.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, e quajti anti-kushtetues dhe ilegal në aspektin ligjor përdorimin e dinarit në Kosovë.

Sipas tij, derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale.