Kosova gjobit MTS-në me 1.5 milion euro për shkelje të ligjit të konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës njoftoi të mërkurën se e ka gjobitur ndërmarrjen MTS d.o.o me mbi 1.5 milion euro për shkeljen e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
MTS d.o.o. e ka për kompani amë operatorin shtetëror të telekomunikacionit, Telekomi i Serbisë, dhe u themeluar në tetor të vitit 2015 në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Selia e kësaj ndërmarrjeje shoqërore është në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Megjithatë, ajo ka degë edhe në komunat tjera të banuara me shumicë serbe në Kosovë: Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë dhe Ranillug.
Ky vendim vjen disa muaj pasi Qeveria e Kosovës ia hoqi licencën biznesore kësaj kompanie për shkak të dokumentacionit të kontestuar gjatë regjistrimit të biznesit.
Autoriteti tha, sipas vendimit që e mori më 18 dhjetor, se MTS d.o.o. e shkeli ligjin “duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”.
Verën e kaluar, emri i kompanisë MTS d.o.o. u gjet në listën e kompanive, të cilave mund t’u ndalohet veprimtaria e të bërit biznes në Kosovë, sepse në formularin e regjistrimit shkruan se ndodhet në territorin e Serbisë, përkatësisht shkruan “Mitrovica e Kosovës (Kosovska Mitrovica), Republika e Serbisë”.
Lista e kompanive me vendndodhje gjeografike të ngjashme të kontestuar është përpiluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, pasi mediumit Klan Kosova iu pezullua certifikata e biznesit për të njëjtën arsye.