
Kosova fiton sërish me rezultat bindës ndaj Maqedonisë së Veriut
Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur sërish Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me rezultat 3:0, në kuadër të Grupit C6 të Ligës së Kombeve.
Kosova e filloi ndeshjen me Demirin në portë, Ramadanin, Smailin Cernaverin dhe Fejzen në mbrojtje, në mesfushë përzgjedhësi Sermaxhaj vendosi Fetajn, Misinin dhe Halilajn, derisa sulmin ia besoi Biqkajt, Memetit dhe Ukajt.
Në pjesën e parë të dy skuadrat patën raste të mira shënimi, por që asnjëra nuk arriti t’i konkretizoj. Ishte Maqedonia e Veriut e cila e filloi sulmin e para duke qëlluar transverzalen e Dardaneve, qysh në çerekun e parë. Në të njëjtën formë golin tentoi ta gjejë edhe Modesta Uka por topi qëlloi tërthorësen.
Edhe mysafiret krijuan një aksion në minutën e 28-të kur Gentiana Rochi tentoi portën e Dardaneve por që Alma Demiri me pritjen e saj ia pamundësoi avantazhin Maqedonisë së Veriut. Shtatë minuta më vonë edhe Gentiana Fetaj realizoi një gjuajtje të mirë por që topi përfundoi sërish në tranzverzale.
Në minutën e 43-të edhe Lumbardha Misini provoi nga distanca por topi kaloi pranë portës, derisa rezultati mbeti i njëjti dhe pjesa e parë u përmbyll pa gola.
Në pjesën e dytë Kosova ishte më kërkuese dhe më efikase. Që në start të pjesës së dytë, rodhi një aksion i suksesshëm për Kosovën. Pasimi i mirë i Ukës drejt Kaltrina Biqkaj ishte kombinim që solli fryt, kur kjo e fundit e çoi topin në rrjetë, 1:0.
Golin e dytë Kosova e gjeti në minutën e 65-të kur 9-shi i Kosovës Kaltrina Biqkaj shënoi për 2:0.
Dardanet tashmë kishin thelluar epërsinë dhe vazhdonin të krijonin raste.
Një të tillë nga distanca e synoi Donjeta Halilaj në minutën e 69-të por që nuk ishte e saktë ashtu sikurse Erëleta Memeti më pas.
Megjithatë kjo e fundit tregoi vlerat e saj në fund të takimit kur në minutën e 85-të realizoi pas asistimit të Kaltrina Biqkaj, duke vendosur rezultatin përfundimtar, 3:0.
Ndeshjen e fundit Kosova e zhvillon në qershor kundër Letonisë, ku vetëm fitorja kryen punë sa i përket realizimit të objektivit për promovim në Ligën B.