
Kosova fiton ndaj Komoreve, presidenti i FFK-së: Grumbullimin e qershorit po e mbyllim me krenari
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë miqësore të qershorit, duke e mposhtur Kombëtaren e Komoreve, me rezultat 4:2, sfidë e zhvilluar të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se grumbullimin e qershorit po e mbyllim me krenari dhe entuziazëm, pas dy fitoreve të rëndësishme që na japin besim të madh për vazhdimin e rrugëtimit tonë drejt kualifikimeve të Botërorit 2026.
“Pas suksesit ndaj Armenisë, sonte djelmoshat tanë na dhuruan edhe një fitore ndaj Komoreve (4:2) me një tjetër paraqitje e shkëlqyeshme, që tregon rritjen dhe përkushtimin e kësaj Kombëtareje”.
“Urime lojtarëve për shpirtin luftarak dhe performancën e shkëlqyeshme, derisa përgëzime Albion Rrahmanit për “hat-trick”-un dhe Fisnik Asllanit për golin e parë në fanellën dardane. Urime stafit teknik për punën profesionale dhe përgatitjen e mirë të ekipit dhe të gjithë tifozëve!”, ka shkruar në Facebook Ademi.
Presidenti i FFK-së ka thënë se shtatori na pret me sfida të reja. “Le të vazhdojmë ta mbështesim këtë ekip dhe të besojmë në sukseset e radhës. Forca Dardanë!”, ka shkruar Ademi.